Policia e Kosovës ka njoftuar se Njësia Speciale Intervenuese (NJSI), Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME) dhe njësi tjera të Policisë së Kosovës, kanë pezulluar protestën e paralajmëruar për këtë të martë.
Protesta ishte paralajmëruar të mbahet në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, por e njëjta është pezulluar pasi siç thuhet, kryeministri Albin Kurti ka premtuar se javën e ardhshme do t’i pres në takim zyrtar për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre.
“Pas takimit të Drejtorit të Përgjithshëm të PK-së, me NJSI dhe NJTME, është marrë vendim që të pezullohet përkohësisht protesta e paralajmëruar për sot 07.11.2023, në ora 12:00”, thuhet në komunikatën për media.
“Deri te pezullimi i protestës ka ardhur pasi Drejtori i Përgjithshëm i PK-së, i shoqëruar nga menaxhmenti i PK-së, gjatë takimit me këto njësi i ka informuar se Kryeministri i Republikës së Kosovës ka premtuar që javën e ardhshme do ti pres në takim zyrtar menaxhmentin e PK-se së bashku me përfaqësuesit e këtyre njësive, për ti diskutuar kërkesat e tyre, respektivisht për të gjetur një zgjidhje”.
Pjesëtarët e Njësitit Special Intervenues, njësiti më elitar i Policisë së Kosovës, kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës më 1 nëntor, me kërkesën kryesore që rrezikshmëria në punë të caktohet në 50 përqind të pagës bazë. Ata kërkuan që mos të përdoren politikisht dhe të mos luhet me dinjitetin e tyre. /Telegrafi/