Personat e shëruar nga Covid-19 mund ta humbasin imunitetin e tyre brenda disa muajve, dhe koronavirusi mund të riinfektojë qytetarët vit pas viti, ashtu si gripi i zakonshëm.
Më parë thuhej se antitrupat zgjasnin më shumë, por duket se kjo nuk është e vërtetë.
Studiuesit nga King’s College në Londër besojnë se antitrupat ulen në mënyrë dramatike në tre muaj pas infeksionit.
Kjo do të thotë se njerëzit mund të infektohen me virus për herë të dytë.
Ata hetuan mostra nga 65 pacientë me koronavirus, 94 ditë pasi ata ishin diagnostikuar me COVID-19. Vetëm 17 për qind e njerëzve që morën pjesë në studim kishin antitrupa tre muaj pas shërimit nga virusi.
Nivelet e antitrupave ranë me deri në 23-fish, përgjatë kësaj periudhe, e në disa raste nuk ekzistonin më.
“Njerëzit po prodhojnë një reagim të konsiderueshëm imunitar ndaj virusit, por ai dobësohet përgjatë një kohe të shkurtër”, tha Katie Doores, autore e studimit.
Zbulimet e studimit kanë ndikim te zhvillimi i vaksinës dhe gjurmimin e të ashtuquajturit imuniteti i masës përgjatë kohës. Sistemi imunitar ka disa mënyra për të luftuar koronavirusin por nëse antitrupat janë mënyra kryesore e mbrojtjes, gjetjet e studimit sugjerojnë se qytetarët mund të riinfektohen përgjatë valëve sezonale dhe se vaksinat mund të mos i mbrojnë për shumë kohë.
Ndërsa Profesori Wendy Barclay, një virolog nga grupi këshillues shkencor i Qeverisë për emergjencat, paralajmëroi që koronavirusi mund të kalonte më shumë se një orë në ajër, duke shtuar rrezikun e marrjes së virusit përmes ajrit.
Sipas shkencëtarëve kjo nënkupton se edhe në rastin se vaksina do të ishte efikase, një dozë nuk do të jetë e mjaftueshme dhe se do të duhej përsëritja e saj kohë pas kohe./Motilokal.com


