IKSHPK: Uji i Badovcit ende nuk është i pijshëm

IKSHPK: Uji i Badovcit ende nuk është i pijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar sot se po vazhdon monitorimin e cilësisë së ujit të pijshëm që furnizohet nga Liqeni i Badovcit.

Sipas analizave laboratorike të realizuara gjatë ditëve të fundit, është konstatuar se përqendrimi i manganit në ujë ka tejkaluar kufirin e lejuar prej 0.05 mg/l, të përcaktuar në Udhëzimin Administrativ Nr. 10/2021 “Për cilësinë e ujit për konsum nga njeriu”. Vlerat e regjistruara, sipas IKSHPK-së, po ashtu e kalojnë pragun shëndetësor prej 0.3–0.4 mg/l, mbi të cilin uji konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin e njeriut.

Me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, IKSHPK apelon tek banorët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në Liqenin e Badovcit që të mos e përdorin ujin për pije deri në një njoftim të radhës.

Për informacion më të detajuar rreth zonave të prekura, emrave të rrugëve dhe orarit të furnizimit me ujë të pijshëm përmes autobotëve, qytetarët ftohen të përcjellin komunikatat zyrtare nga KRU “Prishtina”.

/Motilokal.com